Skip to content

Zoti vjen pas predikuesve të tij

Nga predikimet e Shën Grigorit të Madh, Papa, mbi Ungjijtë (Predikimi 17, 1-3)

Zoti dhe Shpëtimtari ynë, vëllezër të dashur, na mëson herë me fjalët e tij, herë me veprat e tij . Veprat e tij, në fakt, janë rregulla sjelljeje, pasi nëpërmjet tyre, ai na jep një kuptim të heshtur të asaj që duhet të bëjmë. Ai i urdhëron dishepujt e tij të predikojnë dy nga dy, pasi parimi i dashurisë hyjnore është i dyfishtë, domethënë dashuria për Hyjin dhe për të afërmin.

Zoti i dërgon dishepujt  të predikojnë dy nga dy dhe me këtë na tregon pa fjalë se ai që nuk ka dashuri për të tjerët, nuk mund të pranojë në asnjë mënyrë shërbesën e predikimit.

Me të drejtë thuhet se i dërgoi përpara në të gjitha qytetet dhe vendet ku kishte ndërmend të shkonte. Në fakt, Zoti vjen pas predikuesve të tij, pasi i ka paraprirë predikimit, Zoti vjen më pas në banesën brenda nesh, kur ajo është përgatitur nga fjalët e nxitjes, të cilat na kanë hapur shpirtin drejt së vërtetës. Në këtë kuptim, Isaia u thotë predikuesve: Përgatitni një rrugë për Zotin; bëje një rrugë për Hyjin tonë. Për këtë arsye, edhe psalmisti u thotë: Përgatitni udhet e atij që ngrihet mbi perëndimin e diellit. Mbi perëndimin e diellit, në fakt, Zoti ngrihet, pasi në rënien e mundimit të tij ishte pikërisht kur, nëpërmjet ringjalljes së tij, ai e shfaqi më plotësisht lavdinë e tij. Ai ngrihet mbi perëndimin e diellit, sepse me ringjalljen e tij e mposhtë vdekjen që kishte pësuar. Për këtë arsye, ne ia përgatisim udhën i atij që ngrihet mbi perëndimin e diellit kur iu shpallim lavdinë e tij, që ai, duke ardhur më pas, tiu ndriçojë me praninë e tij të dashur.

Le të dëgjojmë se çfarë u thotë Zoti predikuesve që dërgon në fushat e tij: Të korrat janë të bollshme, por punëtorët janë pak; Lutuni, pra, Zotit të të korrave që të dërgojë punëtorë në të korrat e tij. Prandaj, për një korrje të bollshme ka pak punëtorë; duke dëgjuar këtë, nuk mund të mos ndiejmë trishtim të madh, sepse duhet të pranojmë se, ka njerëz që duan të dëgjojnë gjëra të mira, megjithatë mungojnë ata që janë të përkushtuar për t’i shpallur ato. Shiko se si bota është plot me meshtarë, e megjithatë është shumë e vështirë të gjesh një punëtor për të korrat e Zotit; sepse ne kemi marrë shërbimin meshtarak, por nuk i përmbushim detyrat e kësaj shërbese.

Mendoni, pra, vëllezër të dashur, mendoni mirë për atë që thotë Ungjilli: Lutuni Zotit të të korrave që të dërgojë punëtorë në të korrat e tij. Lutuni edhe për ne, që puna jonë për të mirën tuaj të jetë e frytshme dhe zëri ynë të mos pushojë kurrë së nxituri, që, pasi e kemi marrë shërbesën e predikimit, mos të akuzohemi përpara Gjykatësit të drejtë për heshtjen tonë.