Skip to content

Lutje për priftërinjtë e Nënë “ Esperanza de Jesús”

Lutje për priftërinjtë e Nënë “ Esperanza de Jesús”

O Zot Jezus, dashuri e mëshirshme e Atit, Ti i ke zgjedhur priftërinjtë e Tu mes nesh dhe i ke dërguar për të çuar mëshirën Tënde në botë; ne Të lavdërojmë dhe Të falënderojmë.

Të lutemi, mbushi me zjarrin e Shpirtit Tënd. Ti, që u lute dhe e ofrove Veten për apostujt e Tu, shenjtëroji në të vërtetën e Fjalës Sate, mbroji nga i Keqi dhe ruaji në unitet.

Kur të ndihen të dobët, le ta gjejnë tek Ti forcën e tyre; kur të jenë në errësirë, le ta shohin tek Ti dritën; kur t’i pushtojë lodhja, le ta gjejnë tek Ti prehjen; kur të ndihen të vetmuar, Ti qofsh shoqëria e tyre e ëmbël; kur të jenë të plagosur, le ta gjejnë në Zemrën Tënde të tejshpuar shërimin e tyre.

Bëj që kushdo që u afrohet, të gjejë tek ata shëmbëlltyrën e gjallë të Bariut të Mirë dhe të Atit të mëshirshëm.

Na e jep, o Zot Jezus, që Maria, të cilën Ti vetë ua besove dishepujve të Tu të dashur, t’i formojë sipas shëmbëlltyrës Sate, me të njëjtën butësi dhe përkujdesje me të cilën u kujdes për Ty.

Nëpërmjet fuqisë së Shpirtit Tënd, për lavdinë e Hyjit Atë. Amen.