Skip to content

Familja jonë e vogël

Në Kishë ne jemi të gjithë një familje: bij të të njëjtit Atë, të krijuar sipas imazhit dhe ngjashmërisë së Tij, vëllezër në Krishtin, të bashkuar me anë të hirit dhe gjymtyrë të të njëjtit Trup. Kur një gjymtyrë vuan, dhimbja e saj arrin, në një farë mënyre, në të gjithë trupin. Kur një anëtar i bashkësisë jeton në mëkat, për më tepër, ndikon në të njëjtën mënyrë tek të rriturit në hirin e Zotit; dhe Shenjtëria kontribuon në të mirën e të gjithë Kishës. Shën Gjon Pali II, e jetoi në një mënyrë tepër të thellë, këtë mister të unitetit midis gjymtyrëve të Trupit Mistik të Kishës. Ai thoshte se “Pa e vënë në dyshim vizibilitetin e Tij, Shtimi i Trupit mistik të Krishtit, kërkon të nënvizojë shtrirjen e dimensionit shpirtëror të Kishës, kërkohet të nënvizohet, dimensioni shpirtëror dhe i padukshëm i Kishës. Tregohet, se “përtej formës së një bashkësie njerëzore, fshihet një realitet hyjnor, i cili nuk mund të arrihet përmes një përvoje të ndjeshme, por veçse me anë të besimit”. Ai vetë kishte pasur përvojën e thellë të solidaritetit që ka midis gjymtyrëve të Trupit Mistik të Kishës, sikurse mësohet nga Shën Pali: “Tani vetë u gëzohem vuajtjeve të mia për të mirën tuaj dhe plotësoj në trupin tim çka u mungon mundimeve të Krishtit për Trupin e tij   Kishën.  (Kol. 1, 24) Ati i Shenjt thekson se “me sa duket, është pjesa e vetë thelbit të vuajtjes shëlbuese të Krishtit e cila duhet të përplotësohet pa pushim” Dhe e shpjegon: “Krishti shëlbon nëpërmjet vdekjes së trupit të tij prej mishi; njeriu është i shëlbuar dhe ndihmon që të shëlbojë me mundimet e Krishtit, i cili i ofron secilit njeri dhuratën që të vuajë ashtu si Ai dhe me Të, me qëllim që të vazhdojë të shëlbojë në Të, edhe nëpërmjet vuajtjeve të mishit të tij. Vuajtjet e të krishterit, të jetuara së bashku me mundimet e Krishtit, lejojnë dhurimin e të mirave të Krishtit në Trupin e tij Mistik. Krishti vazhdon të shëlbojë botën përmes vuajtjeve të anëtarëve të saj. Ata përplotësojnë kështu mundimet e Krishtit, nëpërmjet thirrjes që kanë marrë nga Zoti”. Shën Gjon Pali II ia atribuoi thirrjen e tij dhe frytet e shërbesës së tij meshtarake, vuajtjeve shëlbuese të njerëzve të tjerë: “Meshtaria ime, tashmë që nga lindja, është regjistruar në sakrificën e madhe të aq shumë burrave dhe grave të gjeneratës sime. Provania Hyjnore më ka ruajtur përvojat më të dhimbshme, prandaj është edhe më e madhe ndjenja ime e borxhit ndaj njerëzve që njoh, e gjithashtu edhe ndaj atyre më të shumtëve që nuk i njoh, pa dallime kombi a gjuhe, që me sakrificën e tyre në altarin e madh të historisë, kanë kontribuar në realizimin e thirrjes sime meshtarake. Në një farë mënyre, më kanë ndërfutur në këtë ecje duke më treguar përmasën e sakrificës, të vërtetën më të thellë dhe më thelbësore të meshtarisë së Krishtit.”[1]

Më 15 shtator 2023 pata hirin e jashtëzakonshëm të takimit personalisht me një nga këta persona për të cilin Gjon Pali II thotë se vuajtjet e tij i kanë ruajtur në kujtesë përjetimet më të dhimbshme. Wanda Poltavska përshkruan vuajtjet e saj të tmerrshme të kaluara në kampit e përqendrimit Ravensbrück në librin e saj “Dhe unë kisha frikë prej ëndrrave të mia”. Ajo i qe nënshtruar eksperimentimeve mjekësore të dhimbshme e deformuese dhe çdo lloj vuajtjesh të tjera, të cilat përfundimisht diti t’i bashkojë me vuajtjet e Krishtit. Ajo iu drejtua meshtarit të ri Karol Wojtila në kërkim të përgjigjeve pas përvojave dramatike dhe kështu mes tyre lindi një vëllazëri e thellë, siç mund të lexojmë në një libër tjetër të quajtur “Ditari i një miqësie”. Në hapat e mi nëpër Krakov, pasi pata marrë adresën e saj, guxova t’i bija ziles së derës që shkruante “Poltavska” dhe më qe hapur. Për dy orë munda të qendroj me Wandën, e cila pavarësisht se ishte 102 vjeçe dhe e dobët fizikisht, më dha një mësim mjeshtëror jete shpirtërore që nuk do ta harroj kurrë. Do të doja të ndaj këtu disa mendime që ajo më transmetoi dhe që unë i konsideroj të tilla, pra një trashëgimi më tepër për Shën Gjon Palin II. Shpresoj që këto shënime t’i inkurajojnë të gjithë njerëzit që kanë marrë përsipër përgjegjësinë mujore të lutjes përgjatë 40 orëve për shtimin dhe zellin e thirrjeve meshtarake e rregulltare për Kishën, tashmë që e njoh veten borxhli ndaj këtyre lutjeve gjithashtu dua t’iu falënderoj për ndërmjetësimin tuaj përpara Hyjit Atë, i vetëdijshëm se ajo që ofroni është e fuqishme dhe shumë e nevojshme.

Wanda më tregoi se një grua kishte ardhur së fundi për të folur me të dhe kishte kërkuar lutje që ajo të bëhej shenjte. Me një shkëndijë të vogël më tha: “I thashë se nuk mund ta bëja këtë.

Askush nuk mund të bëhet i shenjtë në emrin tuaj! Kjo është përgjegjësi e juaja”. Si një pedagoge e shkëlqyer që ishte përgjatë gjithë jetës së saj, ia doli në mua në “captatio” (latinisht: kuptimin), për të hyrë më pas në temën që i interesonte. Shpjegoi që ne duhet të bëhemi të vetëdijshëm se çdo person njerëzor është pajisur me vullnetin e lirë dhe se ndërkaq duhet të marrë përgjegjësinë e vet për të fituar meritat. Zoti nuk na krijoi të shenjtë, por na jep mundësinë, madje kërkon që të jemi shenjtër. Nesër më shumë se sot. “Persona humano infieri est”, ritheksoi – po bëhet.

Përsoni njerëzor u krijua nga Zoti, por nuk është ende gati në listën për të shkuar në parajsë. Për këtë arsye, çdo ditë duhet të lindë sërisht Shpirti Shenjt. Lutja është gjëja më e nevojshme; duke mos kërkuar këtë apo atë, pasi në fund të fundit Zoti e di më së miri se çfarë kemi nevojë. Papa gjithmonë këshillonte se është më mirë të kërkosh shtatë dhuratat e Shpirtit Shenjt, për të qenë i përgatitur për atë çfarë po vjen. Duhet të shkojmë me vetëdije në qiell!

E sjellë në kujtesë se Papa bënte çdo ditë një lutje që ia kishte mësuar i iati kur ishte adoleshent. (Këtij reflektimi bashkëngjitja lutjen). Wanda shtoi se i bënte shumë përshtypje të shikonte se si lutej i iati. E vëzhgonte atë përfshirë këtu edhe natën, duke lutur kokrrat e rruzares në gjunjë përpara një kryqi. Kishin një miqësi me babain mes tyre dhe Papa fliste më shumë për këtë marrëdhënie dhe jo për marrëdhënien me nënën, thjesht sepse nëna e tij vdiq kur ai ishte vetëm 8 vjeç.

Wanda këmbënguli shumë në ndërgjegjësimin se kemi përgjegjësi të madhe për t’i mësuar njeriut se kush është, se ka shpirt, se jeta është një rrugë drejt qiellit. Njeriu është në këtë tokë për të shkuar në qiell, e përsëriste me forcë. Megjithatë, Por shpesh herë na mungon dhurata e Urtësië. Njeriu ka marrë tri dhurata të mëdha nga Zoti: mendjen, vullnetin e lirë dhe ndërgjegjen, e cila duhet të jetë e mirëformuar mirë. Për këtë njohja e etikës hyjnore është çiltërsi, që zemra të jetë pa mëkat. Gjithçka e krijuar nga Zotin është e shenjtë. Ne duhet të hapim sytë e shpirtit, sepse ata e shohin ndryshe nga sytë e trupit. Në ditët e sotme, të gjithë kanë prirjen të kritikojnë gjithçka dhe këdo, por ne duhet të jemi të kujdesshëm që të mos jetojmë nga ndjeshmëria, por nga arsyeja. Ne duhet të kërkojmë metodën më efektive për të jetuar! Të gjithë kemi gjëra që shkojnë kundër shenjtërisë. Na shqetëson djalli, prandaj duhet të rrëfehemi. Ne duhet që gjithmonë ta rinovojmë veten. I vetmi që mund të na ndihmojë që ta arrijmë këtë, është Shpirti Shenjt. Mbaj përgjegjësi për veten dhe për njerëzit të cilëve u ke dhënë fjalën si i krishterë dhe si person i kushtuar. Mos harro kurrë se janë të rëndësishme dhuratat e Shpirtit Shenjt dhe që duhet të kërkosh frytet e Tij. Kjo është kryesorja që ke për të kërkuar gjatë lutjes. Kur lutesh, falëndero Zotin për gjithçka që të ka dhënë dhe kërko dhuratat e Shpirtit Shenjt, mbi të gjitha dhuratën e urtisë, e cila na duhet kaq shumë për ta ditur çfarë duhet të bëjmë në çdo moment.

Të dashur adhurues, shpresoj që ky reflektim i shkurtër pas bisedës me mikeshën e një shenjti, mund t’iu frymëzojë që të vazhdoni të luteni. Kërkoni për ne të kushtuarit, ndihmën e veçantë të Shpirtit Shenjt,  dhe butësinë ndaj frymëzimeve të Tij, sepse ne kemi nevojë shumë për dhuratat hyjnore për të synuar në të mirën dhe për të qenë në gjendje t’ia arrijmë shenjtërisë. Hyji dëshiron që ne të dimë se si t’i mbartim përgjegjësitë tona, sepse siç thonte Wanda, duhet të shkojmë me vetëdije në qiell! Lutuni që të dimë të përqafojmë çdo moment bujarisht vullnetin e Zotit, në mënyrë që shumë njerëz të tjerë të njohin rrugën për në qiell.

Zoti ju shpërbleftë për lutjet dhe sakrificat tuaja të ofruara që janë mbështetje e madhe e Trupit Mistik të Kishës.

 

Maria de Anima Christi van Eijk

22 tetor 2023, Përkujtimi i Shën Gjon Palit të Madh

Misionare në Khabarovsk, Lindja e Largët e Rusisë

 

[1] 1 Citimet e këtij paragrafi të parë janë marrë nga një artikull i Card. Saraiva Martins, “Ungjilli i Vuajtjes”.