Çfarë janë të afta të bëjnë gratë për Të (për Jezusin)
Nënat në grupin e Lutjes 40 Orë duan të jenë si Maritë për të cilat flet Shën Manuel González, një ipeshkev spanjoll – gra që shoqërojnë Jezusin në tabernakull dhe që vazhdojnë të luten me besnikëri për rritjen dhe qendrushmerinë e thirrjeve.
Jezusi thotë: “Maritë e Ungjillit u sollën kaq mirë me mua! Ato ishin kaq besnike duke më ndjekur gjithmonë, gjithmonë! Qoftë turmat që më brohorisnin si Mbretin e tyre, qoftë kur kërkonin kryqëzimin tim, qoftë në kënaqësitë e dhomës ku u zhvillua Darka e Fundit (qenakulli), qoftë në tmerret e Kalvarit!”
Çfarë hidhërimi dhe turpi duhet të lindë në zemrat dhe fytyrat e bijve të mi, burrave, kur shohin Besnikërinë të përfaqësuar në Ungjillin tim në figurën e një gruaje dhe jo të një burri…!
Por, sado interesante dhe tërheqëse të duken këto përfaqësime të gjalla të besnikërisë së grave në jetën time tokësore, ato zgjojnë interes dhe bukuri shumë më të madhe kur soditen rreth trupit tim të vdekur në kryq.
Maritë e Varrit të Shenjtë! Delikatesa dashurie, bujari devotshmërie, heroizëm besnikërie, guxim dobësie – ja ku e keni punën dhe imazhin tuaj!
Kështu duhet te duam! Deri në fund!!!
Nëse historia e burrave të mi në Ungjill gjatë Mundimeve të mia mund të shprehet me frazën: “Të gjithë e lanë dhe ikën”, siç thotë Shkrimi i Shenjtë (Mt 26:56), atëherë historia e Marisë sime duhet të shkruhet me frazën: “Maria Magdalena erdhi herët në mëngjes, para agimit, te varri” (Mt 28:1) sipas ungjillit.
Ata largohen; ato qëndrojnë; ata më braktisin me nxitim, ndërsa unë jam ende gjallë; ato më kërkojnë me urgjencë edhe kur unë tashmë isha i vdekur; ata më mohojnë; ato më rrëfejnë me lotët e tyre; ata më shesin për para, ato shpenzojnë paratë e tyre për erëza dhe balsame për të më vajosur; Si burrat ashtu edhe gratë janë të ngadaltë në besimin në ringjalljen time, e cila është shpallur kaq shumë herë; por ndërsa burrat shkojnë në Emaus ditën e tretë për punën e tyre, gratë shkojnë te varri.
Dhe pse, burrat e mi të asaj kohe dhe të të gjitha kohërave, pse kjo sjellje kaq e kundërt me atë të bijave të mia?
Pse janë ende ato që më kërkojnë në tabernakujt e mi (pjesa e kishës ku mbahet Sakramenti i shejnte) dhe burrat që nuk vijnë?
Pse?…Nëse ju burra nuk guxoni t’u përgjigjeni këtyre pse-ve, të paktën mos i ndaloni gratë tuaja të vazhdojnë të më kërkojnë aty ku më kanë sikur të isha i vdekur, por në realitet, unë jam shumë gjallë në Sakramentin e shenjtë.
Dhe nëse një ditë më në fund vendosni të kërkoni atë që është e drejtë për ju, besoni Marive… dëgjoni atë që ju thonë në emër të Jezusit të tabernakujve të tyre të braktisur, ato që askush nuk i viziton.
Në shumë vende dhe për shumë shpirtra, unë nuk kam apostuj të tjerë për të më predikuar dhe shpallur përveç Marive të mia!
Burra, mos i shqetësoni këto gra… Mari! Mari! Sa shumë ju detyrohem dhe sa shumë më detyroni ju mua!