DON LUIGI BORHINO – THIRRJA NË LU MONFERRATO
(qyteti në Francë ku lindi nisma e këtij grupi të lutjes së 40 Orëve)
Jeta e tij nuk kishte qenë një jetë e mbushur me aventura. Ishte një thirrje e thjeshtë, por e shënuar qartë nga gjurma e Zotit. Thirrja e Zotit i erdhi në moshën gjashtëmbëdhjetëvjeçare.
I lindur në Lu Monferrato më 6 shkurt 1891, në një familje bujqish, ai ishte marrë me punët e fushës, por dallohej për devotshmërinë e tij të thellë.
Në vitin 1910 ndodhej në Foglizzo, duke kryer noviciatin. Vitin pasues e gjejmë në Valsalice, ku vazhdoi studimet e mesme. Atje kaloi tre vjet, duke arritur rezultate të mira.
Më pas u transferua në Vigevano si mësues dhe asistent. Po përfundonte vitin shkollor kur u thirr për shërbim ushtarak për shkak të luftës së viteve 1915–1918. Me thjeshtësinë që e karakterizonte gjithmonë, veshi uniformën ushtarake dhe përmbushi detyrën ndaj atdheut, duke luftuar në frontin maqedonas.
Në vitin 1920, pas pesë vitesh shërbimi ushtarak, më në fund u lirua dhe u dërgua në Treviglio. Më 24 shtator 1922 kremtoi Meshën e tij të parë në Treviglio. Qëndroi në atë shtëpi për tre vjet, duke u dalluar për devotshmërinë, thjeshtësinë dhe shpirtin e tij të punës.
Kush mund t’i përshkruajë dhuntitë e tij të panumërta, të ushqyera nga një shpirt sakrifice pa kufi, nga një modesti që i vinte natyrshëm, nga një aftësi e pashtershme për punë dhe nga një devotshmëri e rrënjosur thellë në bindjet e tij më të pjekura?
Në pamje të parë, dukej një njeri i thjeshtë dhe me mundësi modeste. Në të vërtetë, ishte një njeri i jashtëzakonshëm.
Veprimtaria e Don Borghinos ishte e palodhshme. Ai kishte tri fusha kryesore veprimtarie: Oratorin e San Roque-s, të cilin e drejtoi për rreth tridhjetë vjet, ku formoi breza të tërë të krishterësh të mirë dhe ku lindën rreth tridhjetë thirrje të shkëlqyera, si saleziane, ashtu edhe dioqezane; si edhe Spitalin Civil, ku, gjatë njëzet vjetëve të shërbimit fetar, pati mundësinë t’u qëndronte pranë një numri të jashtëzakonshëm të sëmurësh nga e gjithë lugina.
Njerëzit thoshin për të:
“E kujtojmë në ditët e akullta të dimrit apo në vapën përvëluese të verës, me zilen e tij të pandashme në dorë, duke kaluar mes grupeve të të rinjve në oborrin e Oratorit, herë të mbuluar me baltë e herë me pluhur; ose pranë ndërtesës së thjeshtë ku zhvillonte veprimtaritë e tij. Ndarë të rinjtë që ziheshin, u jepte nga një karamele më të vegjëlve dhe vinte në rregull grupet e ndryshme të nxënësve, përpara se të kalonin në kishë për katekizëm dhe bekim, ose të drejtoheshin për në teatrin e vogël, ku trupa teatrore – një tjetër krijim i tij, për të cilin kujdesej me dashuri të pafund – jepte shfaqje pothuajse çdo të diel.
Kur u drejtohej të rinjve, Don Borghino nuk fliste për gjëra të larta apo të thella. Ne e dëgjonim me kënaqësi, sepse thoshte gjëra të thjeshta që na preknin drejtpërdrejt në zemër. Dhe pikërisht për këtë, mbi të gjitha, e donim: sepse kishte një shpirt të ri dhe të thjeshtë si i yni dhe dinte të na kuptonte me një intuitë të pakrahasueshme.”
Pasioni i tij për Oratorin festiv e shtynte të gjente një mijë mënyra për të zgjuar interesin e të rinjve: katekizëm me çmime, shfaqje teatrore, akademi, festa solemne, procesione, shoqata dhe ekskursione, veçanërisht në male.
Ai nuk e humbiste kurrë kurajën. Vështirësitë vetëm sa e forconin vendosmërinë dhe vullnetin e tij për të vepruar.
Lutje për thirrjet meshtarake
O Jezus, Shpëtimtari im, Ti që ua besove meshtarëve — dhe vetëm atyre — pushtetin për të kremtuar Eukaristinë, që është qëllimi kryesor i shugurimit të tyre meshtarak; për të falur mëkatet, për të administruar Sakramentet e tjera, për të predikuar me autoritet Fjalën e Zotit dhe për t’i udhëhequr besimtarët që të drejtojnë sytë nga Ti dhe të ngjiten drejt Teje; nëpërmjet Nënës Sate tejet të Shenjtë, po T’i kushtoj sot, për shenjtërimin e meshtarëve dhe seminaristëve, të gjitha lutjet, punët dhe gëzimet e mia, sakrificat dhe vuajtjet e mia.
Na jep, o Zot, meshtarë vërtet të shenjtë, të cilët, të ndezur nga zjarri i dashurisë Sate, të mos kërkojnë asgjë tjetër përveç lavdisë Sate dhe shpëtimit të atyre që Ti ua ke besuar.
Amen.
ZEMRA E JEZUSIT ANKOHET – SHËN MANUEL GONZÁLEZ
I braktisur!
Mes asaj dhimbjeje – përmbledhje e të gjitha dhimbjeve, që quhet Mundimi i Zotit tonë Jezu Krisht – në Ungjill lexojmë katër herë se Zoti ynë Jezus, i mbuluar me përbuzje, shprehu dhimbjen e Tij.
E para iu drejtua tre dishepujve të Tij më të afërt, të cilët i zuri gjumi:
“A nuk mundët të rrinit zgjuar me Mua qoftë edhe një orë?”
E dyta iu drejtua Judës, i cili e shiti dhe e tradhtoi:
“Mik, me një puthje po e tradhton Birin e Njeriut?”
E treta iu drejtua rojës së gjyqit që e goditi:
“Nëse kam folur keq, trego çfarë kam thënë keq; por nëse kam folur drejt, përse më godet?”
Dhe e katërta iu drejtua Atit të Tij, i cili e privoi nga prania e Tij e ndjeshme:
“Perëndia im, Perëndia im, përse më ke braktisur?”
(Në Kryq, Zoti ynë shqiptoi këto fjalë të një Psalmi të Biblës.)
Këto katër ankesa, kaq të qeta dhe të përmbajtura, që duken më shumë si vajtime sesa si ankesa, dolën nga buzët dhe nga Zemra e Jezu Krishtit; ato janë e njëjta dhimbje e shprehur në katër mënyra të ndryshme.
Braktisja!
Kjo është dhimbja e madhe e Zemrës së Krishtit; kjo është dhimbja që qëndron mbi detin e pafund e pa brigje të vuajtjeve, në të cilin është zhytur Zemra e Tij.
Braktisja nga miqësia njerëzore, e shfaqur në përgjumjen e plogësht të miqve të Tij më të afërt dhe në pabesinë e Judës; braktisja nga drejtësia njerëzore, e shfaqur në shuplakën fyese që i dhanë; dhe braktisja nga ngushëllimet hyjnore, në braktisjen nga Ati i Tij… Ai që ishte vetë Zoti, Krijuesi i qiellit dhe i tokës, e përjetoi braktisjen në natyrën e Tij njerëzore.
Braktisja është pika më e hidhur në kupën e vuajtjeve të Tij!
Maria, Maria!
[Këtu autori u drejtohet grave të një grupi lutjeje që ai kishte formuar dhe të cilat i quante “Mariat”.]
Merreni dhe shijojeni këtë mësim!
Për ju, Zoti në Ungjill nuk shpreh asnjë lavdërim për t’ju dhënë zemër, as ndonjë ankesë për t’ju qortuar.
Kjo do të thotë se Jezusi mbështetej tek ato — dhe tek ju — në orën e braktisjes së Tij…
A do të vazhdojë Ai të mbështetet tek ju në këtë orë të pafund të braktisjes së Tij në Tabernakull, të cilën Zoti vazhdon ta përjetojë edhe sot në kishat e mbarë botës?
Mendoni për braktisjen që Zoti vazhdon të pësojë në Tabernakujt e Tij, në meshtarët e Tij, nga besimtarët e pagëzuar dhe nga ata që e urrejnë dhe e përçmojnë…
Dëgjojeni, pra, atë ftesë të ëmbël të Krishtit në Tabernakull:
“Sikur të paktën ti të më doje!”
si në këtë çast lutjeje, ashtu edhe mes veprimtarive tona të përditshme