Skip to content

Besimi na nxjerr hire përball Zotit

Në shumë raste, sipas të dhënave të Ungjillit, Zoti ka bërë mrekulli, duke shëruar të sëmurët, duke dëbuar demonët dhe duke falur mëkatet; dhe pasi i ka dhënë këto hire, ai i thotë personit të interesuar: “Besimi yt të ka shpëtuar”. Kështu ndodh në shërimin e lebrozëve (Lk 17, 19), me gruan kananease (Mt 15, 28), dhe me lypësin e verbër (Mc 10, 52) ndër te tjera.

Por ajo që tërheq veçanërisht vëmendjen është pjesa e shërimit të gruas me fluks/rrjedhje gjaku. Pas shërimit, Jezusi i thotë, ashtu si të tjerëve: “Besimi yt të ka shpëtuar”, por ndryshimi me pjesën tjetër të shërimeve, me anë të mrekullisë, është se këtu Jezusi e bën mrekullinë pa e kuptuar: besimi i kësaj gruaje, mund të të themi se , e” nxjerr” hirin e kërkuar.

Kjo grua kishte vuajtur nga sëmundja për dymbëdhjetë vjet dhe kishte provuar gjithçka për t’u shëruar, duke shpenzuar pasuritë e saj, (“ajo kishte shpenzuar gjithë pasurinë e vet pa kurrfarë dobie ” Mk 5, 26). Kjo do të thotë, se nuk kishte shpresë tjetër veçse në fuqinë e Jezu Krishtit. Për këtë arsye, besimi i saj është aq i madh dhe është në gjendje të përfitojë hirin që kërkon nga Zoti, sepse me gjithë pritjen e gjatë dhe skepticizmin që mund të kishte pasi kishte provuar gjithçka e madje me gjithë vuajtjet e saj (“kishte vuajtur shumë nga ana e mjekëve të ndryshëm… madje duke u bërë më keq» Mk 5, 26), shpreh besimin e saj në Jezu Krishtin. “Nëse arrij t’ia prek edhe vetëm rrobat, do të shpëtoj”, thotë Shën Marku (5, 28)

Mateu (9, 20) thotë se ajo çfarë preku, qe vetëm “skaji i mantelit të Tij”. Ajo e dinte se nuk i duhej më tepër për të përfituar hirin e Zotit. E gjithashtu, për këtë arsye, besimi i saj është aq i madh, sa që duke prekur qoftë edhe skajin e mantelit, shpërfillte papastërtinë dhe padenjësinë e vet. Libri i Levitikut (15, 19), në fakt, parashikon që çdo grua e cila vuante nga një rrjedhje/fluks gjaku, pra nga hemoragjia, ishte e papastër për shtatë ditë, derisa të pushonte hemoragjia. Të qenit i papastër do të thoshte që gjithçka me të cilën ajo kishte kontakt ishte gjithashtu e papastër: njerëzit, mobiljet, veshjet. Dhe duke qenë se ajo kishte vuajtur nga kjo sëmundje për dymbëdhjetë vjet, ne mund ta imagjinojmë refuzimin që do të kishte pasur, pasi jo vetëm që nuk mund të kishte kontaktin me njerëzit, por njerëzit nuk mund të kishin kontakt me asnjë objekt që ajo prekte. Kjo është arsyeja pse akti i prekjes së skajit të mantelit të Zotit kërkon kurajë të madhe, sepse nëse dikush do ta zbulonte, do ta akuzonte atë se e kishte lënë Zotin të papastër. Mbase kjo është edhe arsyeja pse ajo kërkoi të prekte mantelin pa u parë (“ajo doli nga prapa” Lk 8:44), jo për të mos e bërë Zotin të papastër (sepse nëse ai bënte mrekulli me fuqinë hyjnore, vetë Hyji nuk mund të mbetej i papastër), por për të shmangur skandalin. Dhe për këtë arsye, kur Zoti pretendon se e dinte se kush e kishte prekur, ajo “u afrua e frikësuar dhe duke u dridhur” (Mk 5:33).

Dhe efekti, siç thamë, qëndron, në hirin e Zotit: “Dikush më preku, sepse ndjeva që një forcë doli prej meje”, thotë Jezusi (Lk 8, 46).

Zoti lejon që dhimbjet të na mundojnë, sepse ato shërbejnë për të na bërë të kthehemi tek e vetmja gjë e nevojshme. Vështirësitë na bëjnë t’i vendosim shpresat tona vetëm te Zoti dhe ato testojnë besimin tonë në plotfuqishmërinë e tij, duke bërë që të rritemi.

Na shërbeftë kjo mrekulli e Zotit për të kopjuar formulën e gruas me hemorragji në lutjen tonë: të afrohemi duke pranuar varfërinë tonë të plotë, sikurse ajo që i kishte humbur të mirat e veta materiale; pa lejuar që padenjësia jonë të jetë pengesë për t’iu përgjëruar mëshirës së Tij, ndërkohë që ajo iu afrua Zotit pavarësisht papastërtisë së saj rituale; dhe duke e vënë të gjithë besimin dhe shpresën tonë në kontaktin që vendosim me Zotin nëpërmjet lutjes, edhe pse mund të na duket se Zoti na ka kthyer shpinën, duke kërkuar kontaktin shpëtimtar përmes Tij, madje edhe kur preket vetëm skaji i mantelit të Tij. Me ktë formulë përfitoi hirin që ajo po kërkonte nga Zoti ynë. Le të kërkojmë edhe ne ta riprodhojmë për të nxjerr hire të bollshme qiellore.

 

P. Andrés Francisco Torres, IVE